Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Përparim Gruda, ka deklaruar se komisioni që ai drejton nuk mund të merret me shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani për zgjedhjen e drejtpërdrejt të presidentit.
Sipas Grudës, ka kaluar një periudhë shumë e gjatë kohore që nga momenti kur kjo çështje është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese, duke e bërë të pamundur rishqyrtimin e saj në këtë fazë.
“Jemi gati 14 vjet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi çështja është dërguar në gjykatë në vitin 2011. Pra, kemi kaluar çdo afat. Unë sot mendoj se komisioni nuk mund të shqyrtojë amendamente që kanë kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese më shumë se një dekadë më parë”, është shprehur Gruda.
Debati për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit është rikthyer në vëmendje pas propozimeve të fundit nga presidentja Osmani, e cila ka mbështetur idenë që kreu i shtetit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
