Në ditën e tij të parë në detyrë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, ka mbledhur Shtabin e posaçëm dhe ekipin drejtues, sa i takon situatës në vendet e Lindjes së Mesme.
Siç shkruan në “X”, në fokus të diskutimeve ishin problematikat dhe nevojat e qytetarëve shqiptarë, qoftë ata rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.
“Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë”, thekson ministri.
Ai ka premtuar se do të punojë me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, i udhëhequr nga interesi kombëtar. Eksperienca e gjatë në shërbimin diplomatik, siç e ka shprehur vetë ai, i ka dhënë mundësinë të shohë nga afër rritjen e peshës dhe besueshmërisë së vendit tonë në arenën ndërkombëtare.
