Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialog, Peter Sørensen, dhe deklaratave lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe masave shtesë.
PDK përmes një komunikate për media shpreh shqetësim të thellë për, siç i ka quajtur, kompromiset e fundit të kryeministrit Albin Kurti, të cilat sipas tyre cenojnë drejtpërdrejt sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Me vendimet e fundit, Kurti ka bërë dy lëshime të rënda: ka lejuar funksionimin e institucioneve ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës dhe ka legjitimuar dokumentet që Serbia i lëshon kundërligjshëm për qytetarët e Kosovës. Me pranimin e tyre, ai i ka bërë strukturat ilegale të Serbisë pjesëmarrëse në zbatimin e legjislacionit të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Sipas kësaj partie, këto vendime tregojnë se kryeministri Kurti ka zhvilluar negociata larg vëmendjes së opinionit publik, në mungesë të plotë transparence.
PDK thekson gjithashtu se për vite me radhë, Kurti deklaronte se në Kosovë nuk ekzistojnë më struktura paralele të Serbisë, ndërsa tani, me vendimet e tij, po i njeh publikisht dhe po krijon kushte për funksionimin e tyre.
“Këto lëshime janë vazhdim i logjikës së rrezikshme të Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të pranuara nga Kurti pa transparencë dhe pa debat institucional, të cilat tashmë po prodhojnë pasoja konkrete në terren në dëm të interesit shtetëror të Kosovës”.
Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti që të ndërpresë menjëherë “politikat e dëmshme që po prodhojnë konfuzion institucional dhe po e fuqizojnë narrativën e Serbisë ndaj Kosovës”.
