SHBA-ja pritet të prezantojë një koalicion për shoqërim anijesh në Hormuz

SHBA-ja pritet të prezantojë një koalicion për shoqërim anijesh në Hormuz

Shtetet e Bashkuara janë afër prezantimit të një koalicioni për t’i shoqëruar anijet nëpër Ngushticën e Hormuzit, kanë raportuar mediat Wall Street Journal dhe Axios, teksa Irani ka paralajmëruar se nuk do të dorëzohet.

“Nisur nga kjo javë, administrata Trump planifikon të bëjë të ditur që shumë shtete janë pajtuar të formojnë një koalicion për t’i shoqëruar anijet nëpër Ngushticën e Hormuzit”, ka raportuar Wall Street Journal më 15 mars, duke mos cituar me emra burimet amerikane.

Sipas raportimeve, kjo çështje është duke u diskutuar dhe që gjërat mund të lëvizin varësisht prej gjendjes së luftës. Diskutime ka edhe mes pjesëmarrësve se kur mund të nisë punën ky mision – teksa zgjasin luftimet apo vetëm pas një armëpushimi.

Axios, duke cituar burimet e veta ka raportuar më vonë se presidenti amerikan, Donald Trump shpreson ta bëjë të ditur këtë koalicion në javën në vazhdim dhe që është duke e shqyrtuar mundësinë e kapjes së Ishullit strategjik të Hargut – të cilin forcat ushtarake amerikane e bombarduan më 13 mars – në rast se trafiku vazhdon të mbetet i bllokuar në ngushticë.

Në një postim në rrjetet sociale, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se “shtetet e botës që pranojnë naftën përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për atë zonë, dhe ne do të ndihmojmë SHUMË”.

Në një intervistë të publikuar më 16 mars nga Financial Times, Trump ka thënë se forcat e NATO-s përballen me një “të ardhme shumë të keqe” nëse një vend anëtar nuk i ndihmon Shtetet e Bashkuara në Iran.

Më 15 mars, kryeministri britanik, Keir Starmer ka biseduar me Trumpin për rëndësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit në mënyrë që të mos pengohen furnizimet globale, ka bërë të ditur Zyra e kryeministrit britanik.

Starmer ka diskutuar për këtë çështje edhe me kryeministrin kanadez, Mark Carney, me të cilin kanë diskutuar se si bllokada në ngushticë është duke prekur furnizimet globale. Ata janë zotuar se do t’i vazhdojnë diskutimet më 16 mars.

Related Articles