Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka dhënë detaje për gjendjen e 5-vjeçarit nga Lipjani. Në njoftim është thënë se 5-vjeçari është pranuar në gjendje të rëndë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe ndryshime gangrenoze.
Sipas njoftimit, fëmija është pranuar fillimisht në Emergjencën Qendrore, ku është konstatuar gjendje e rënduar shëndetësore, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.
“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është pranuar në Emergjencën Qendrore me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve, me ndryshime gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim”, thuhet në njoftim.
Pas pranimit, ekipet mjekësore kanë realizuar menjëherë konsultat e nevojshme dhe kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Klinikën e Pediatrisë, përkatësisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik.
“Menjëherë pas pranimit në Emergjencën Qendrore janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent të fëmijës në Klinikën e Pediatrisë, përkatësisht në repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim të mëtejmë”, thuhet më tej.
Për shkak të dyshimeve për keqtrajtim, rasti është raportuar tek autoritetet kompetente.
“Për shkak të dyshimeve për keqtrajtim të mundshëm, janë njoftuar Policia dhe punëtorët socialë, në përputhje me procedurat ligjore”, thuhet në njoftim.
Aktualisht, fëmija ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabil dhe po trajtohet nga një ekip multidisiplinar.
“Fëmija po trajtohet nga një ekip multidisiplinar dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë, por me parametra vitalë stabil”, njofton SHSKUK.
Sipas tyre, janë kryer ekzaminime të plota laboratorike dhe imazherike, ndërsa trajtimi i plagëve po vazhdon intensivisht, në bashkëpunim me kirurgë vaskularë, plastikë dhe ortopedë.
Në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe specialistë të shëndetit mendor për shkak të gjendjes psikologjike të fëmijës.
“Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social”, thuhet në njoftim.
SHSKUK bën të ditur se fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga stafi mjekësor dhe punëtorët socialë.
Po ashtu, gjatë ditës së sotme, fëmija është vizituar edhe nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.
“Sot fëmija u vizitua edhe nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia për të parë nga afër gjendjen shëndetësore. Po ashtu, në koordinim me ministrin e Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare Andin Hoti dhe me Qendrën për Punë Sociale në Komunën e Lipjanit pritet që të merren të gjitha hapat e nevojshëm për mbrojtje ligjore dhe sociale”, përfundon njoftimi.
