Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë duke pritur Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, për të vazhduar më pas me çështjen e Presidentit.
Ai është shprehur optimist, teksa ka thënë se këtë kohë duhet treguar përgjegjësi shtetërore dhe durim politik.
“Jemi duke pritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Duhet të tregojmë përgjegjësi shtetërore dhe durim politik. Jam optimist për të ardhmen”, ka deklaruar sot Kurti.
Kurti ndërkohë ka thënë se Kosovës tani më së paku i duhen zgjedhjet.
“Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit dhe qytetarët presin prej nesh, stabilitet institucional e jo zgjedhje të përsëritura. Nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura, ka nevojë që sa më parë ta kemi aktgjykimin e Kushtetueses dhe të fillojë Kuvendi të punojë. Zgjedhjet e reja do të kushtonin së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tani se kush e ka shumicën dërmuese, Vetëvendosje ka fituar me 51 përqind dhe çështja është te kuorumi prej 80 deputetëve dhe nuk besoj se na duhen zgjedhjet e reja për të pasur garë se a do ti kemi 80 deputetë”, tha Kurti
