Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Majac të Podujevës, ndërsa 31-vjeçareja, A. Gashi është e dyshuara kryesore, raporton Gazeta Enigma.
Sipas informacioneve fillestare, 31-vjeçarja dyshohet se fillimisht ka vrarë I.B, 45-vjeçarin nga Obiliqi, me të cilin dyshohet të ketë pasur lidhje.
Menjëherë pas kësaj, ajo dyshohet se ka ndërmarrë veprimin e radhës, duke hyrë në shtëpinë e një 73-vjeçareje në Majac. Sipas familjarëve të viktimës, 31-vjeçarja dyshohet se i ka marrë peng 73-vjeçaren, si dhe bashkëshorten e djalit të saj së bashku me fëmijët.
Si pasojë e plagëve të marra, 73-vjeçarja, e cila ishte gruaja e axhës së të dyshuarës, nuk ka arritur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë më vonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Familjarët kanë deklaruar se, pavarësisht lidhjes familjare, raportet mes dy familjeve kanë qenë shumë të mira.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rreth orës 18:40 ka pranuar informacion për një person pa shenja jete në një veturë në këtë fshat. Në vendin e ngjarjes është gjetur një veturë e bardhë me targa lokale, në pronësi të viktimës nga Obiliqi, i cili është konstatuar i vdekur nga ekipi mjekësor.
Gjatë hetimeve, policia ka siguruar informacione se e dyshuara ndodhej brenda një shtëpie, e armatosur dhe refuzonte komunikimin, duke paraqitur rrezik për veten dhe të tjerët. Në vendngjarje kanë ndërhyrë Njësia Speciale Intervenuese dhe negociatorët, të cilët kanë arritur ta vënë situatën nën kontroll.
Brenda shtëpisë janë gjetur dy gra të plagosura rëndë, të cilat janë dërguar për trajtim në QKUK. Më vonë, më 23 mars 2026 rreth orës 03:35, njëra prej tyre ka ndërruar jetë.
