Prokuroria Themelore në Prishtinë, sot ka arrestuar katër persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh me patentë shoferë.
Tre nga të arrestuarit janë përfaqësues të dy autoshkollave, ndërsa një ekzaminere me inicialet V.L., po ashtu është arrestuar.
Kjo ekzaminere ishte e angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës. Ajo tani përballet me veprën ”Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Për angazhimin e saj njoftoi ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha.
Basha tha se si Ministri, “e mirëpresim aksionin e zhvilluar dhe shprehim gatishmërinë për bashkëpunim të plotë me organet përgjegjëse të drejtësisë, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”.
“Ne do të jemi të përkushtuar e fort të vendosur në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe çdo forme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke garantuar integritet, transparencë dhe besim në institucionet publike”, shkroi Basha.
