Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Matiçan

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krime lufte në Matiçan

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit  Zoran Stankoviq, i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Vendimi është marrë nga Departamenti Special, pasi gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e kësaj mase, ndaj të pandehurit për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale sipas nenit 142 dhe 22 të ish Ligjit Penal të RSFJ-së.

Sipas njoftimit, masa e paraburgimit është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, me arsyetimin se ekziston rreziku i arratisjes dhe pengimit të procedurës penale.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore Gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i arratisjes pasi i njëjti posedon edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë dhe ekziston mundësia reale që të ik nga Kosova, po ashtu nëse i pandehuri gjendet në liri mund të fsheh, asgjësoj apo ndryshojë, andaj Gjykata vlerësoj se masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë, për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Gjykata ka bërë të ditur se kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Related Articles