Kombëtarja e Shqipërisë zbret sot (e enjte) në një sfidë jetike në udhëtim, teksa përballet me Poloninë në kuadër të gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Kuqezinjtë udhëtojnë drejt kësaj përballjeje në “PGE Narodowy” me fillim nga ora 20:45, me besim dhe ambicie të lartë, të vetëdijshëm për rëndësinë historike që mbart kjo ndeshje. Përgatitjet kanë qenë intensive, ndërsa atmosfera brenda skuadrës raportohet pozitive, me fokus maksimal te objektivi i madh.
Sfida në tokën polake pritet të jetë e fortë dhe e luftuar, përballë një kundërshtari cilësor që kërkon të shfrytëzojë avantazhin e fushës dhe mbështetjen e tifozëve vendas. Megjithatë, Shqipëria e Sylvinhos synon të tregojë karakter dhe të godasë në momentet kyçe të ndeshjes.
Një fitore në këtë duel do të afronte ndjeshëm kuqezinjtë me ëndrrën e madhe për pjesëmarrje në një Kampionat Botëror.
Sytë janë te Shqipëria dhe fitorja e sotme, për të arritur finalen e madhe të së martës ndaj Ukrainës ose Suedisë.
