Kushtetuesja e dha verdiktin, Hamza thotë se ende nuk ka marrë ftesë për takim nga Kurti për Presidentin

Kushtetuesja e dha verdiktin, Hamza thotë se ende nuk ka marrë ftesë për takim nga Kurti për Presidentin

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është deklaruar para mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie.

Hamza tha se PDK e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, teksa bëri me dije se ende nuk kanë pranuar ftesë për takim nga Kryeministri Albin Kurti, të cilit i kishin kërkuar që ta priste verdiktin e gjykatës para një takimi tjetër për çështjen e presidentit.

Hamza tha se pas mbledhjes së Kryesisë sot dhe Grupit Parlamentar, ditëve në vijim do të mblidhet edhe Këshilli Drejtues, dhe se pas kësaj do të dalin me qëndrim zyrtar.

“Ne jemi shpreh qartë që PDK e respekton vendimin e Kushtetueses, sepse në këtë vend duhet të respektohen vendimet e gjykatave. Sot kemi mbledhje të Kryesisë, Grupit Parlamentar. Ditëve në vijim presim me pas edhe mbledhje të Këshillit Drejtues, do t’i diskutojmë qëndrimet tona, pozicionin tonë dhe mbi bazën e vendimeve të organeve të PDK’së, ne do të dalim zyrtarisht me qëndrimin tonë”, tha Hamza.

Ai nuk u përgjigj nëse janë të gatshëm si PDK të ofrojnë edhe një kandidat për president, duke deklaruar se “gjithcka cka flasim para diskutimit në organet e partisë, nuk është e duhura”.

I pyetur specifikisht nëse ka marrë ftesë për takim nga Kurti, Hamza tha se “Jo, nuk ka ftesë”.

Kurti i kishte dërguar ftesë Hamzës dhe Kreut të LDK’së, Lumir Abdixhikut, pasi Kushtetuesja e kishte vendosur masën e përkohshme, por asnjëri nuk i kishte shkuar në takim duke i kërkuar që ta pres verdiktin e Kushtetueses mbi dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Mirëpo, që të dy kishin shprehur gatishmëri të takohen sapo Kushtetuesja të dalë me Aktgjykim.

Aktgjykimi u publikua mbrëmë. Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat shtesë edhe 34 ditë Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri.

Gjykata ka konstatuar se në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda periudhës 34 ditëshe, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Aktgjykimi ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit (të mërkurën).

Related Articles