“Përplasje” institucionale për Rugovën: Pacolli i dërgon letër Muhaxherit

“Përplasje” institucionale për Rugovën: Pacolli i dërgon letër Muhaxherit

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, i është drejtuar me një letër kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, duke ngritur shqetësimin për zvarritjen e procesit të planifikimit hapësinor në vendbanimet brenda Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

Në letrën e saj, Pacolli thekson se mungesa e Planeve Rregulluese të Hollësishme (PRrH) për disa fshatra të Rugovës, si Bogë, Bellë, Drelaj, Shtupeq, Rekë e Allagës, Lipë, Malaj, Jasiq e Gjocaj, ka krijuar një “vakum ligjor” që po ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe perspektivën e banorëve.

Ajo rikujton se, sipas Ligjit për Planifikimin Hapësinor, përgjegjësia për hartimin e planeve të tilla bie mbi komunën, ndërsa thekson se edhe Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” e parasheh këtë si një hap kyç për zhvillimin e qëndrueshëm dhe turizmin në zonë.

Sipas ministres, vonesat e deritanishme kanë prodhuar pasoja konkrete socio-ekonomike, duke penguar investimet dhe duke rritur rrezikun për ndërtime të paorganizuara dhe degradim të natyrës.

“Sot, nevojat e banorëve për investime po mbahen peng nga pasiviteti institucional, duke hapur rrugën për ndërtime të paorganizuara dhe degradim të pakthyeshëm të natyrës si pasojë e mungesës së udhëzimeve të qarta urbanistike. Mungesa e planeve të tilla pamundëson edhe intensifikimin e investimeve publike të cilat lehtësojnë jetën e përditshme të banorëve dhe mundësojnë zhvillim të planifikuar dhe të kontrolluar të zonës” shkroi Pacolli.

Ajo kërkon nga Komuna e Pejës informacione të qarta mbi hapat e ndërmarrë apo të planifikuar për inicimin e këtyre procedurave, si dhe për statusin aktual të planifikimit në këto zona.

Në fund, ministrja shpreh gatishmërinë e Ministrisë për të ofruar mbështetje profesionale dhe teknike për komunën, duke theksuar se banorët e Rugovës meritojnë zgjidhje institucionale që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtje të pasurisë natyrore.

Related Articles