Turqia do të përballet me Kosovën në një ndeshje kritike në rrugën drejt Kupës së Botës 2026. Ndërsa përgatitjet e ekipit kombëtar turk vazhdojnë, raportohet se trajneri Vincenzo Montella është nën presion për të mos aktivizuar tre lojtarë.
Kombëtarja e Turqisë kishte mposhtur Rumaninë 1-0 në gjysmëfinalen e play-off-it të kualifikueseve evropiane për Kupën e Botës 2026, duke siguruar finalen. Të martën në mbrëmje, Turqia do të përballet në Prishtinë me Kosovën për një biletë në Botëror.
Për shkak të zgjedhjeve në formacion, Montella është kritikuar dhe sipas raportimeve të “Sozcu”, ka presion të madh që ai të mos i aktivizojë nga minuta e parë Samet Akaydin, Baris Alper Yilmaz dhe Kerem Akturkoglu.
Megjithatë, thuhet se trajneri italian nuk po i merr parasysh këto presione dhe, pasi të përfundojë analizën e Kosovës, do të vendosë vetë për formacionin startues, duke qenë se ka mbështetje të plotë nga federata turke.
Nëse rikuperohet në kohë, Merih Demiral pritet të zëvendësojë Samet Akaydin, ndërsa edhe Ozan Kabak është një alternativë për mbrojtjen.
Në mesfushë, nëse Montella vendos të mos aktivizojë Ismail Yuksek, mund t’i japë një mundësi Orkun Kokçu.
Ndërkohë, për krahun ofensiv, në vend të Baris Alper Yilmaz janë gati si alternativa Yunus Akgun, Irfan Can Kahveci dhe Oguz Aydin.
