Portieri i kombëtarës së Kosovës Arjanet Muriq, është shprehur optimist për ndeshjen e së martes kundër Turqisë, që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinës.
Muriq pas stërvitjes së sotme deklaroi për faqen zyrtare të FFK-së se do të japin gjithçka për ta fituar ndeshjen.
“Jemi gati dhe besoj se do të jetë një ditë e bukur në Prishtinë. Do të japim gjithçka për të fituar. Siç e kam thënë më parë deri në momentin e fundit asgjë nuk përfundon dhe ja ku jemi tani. Gjithçka varet nga ne. E kemi merituar dhe do të japim maksimumin për të marrë fitore”, deklaroi ai.
Ai nuk harroi t’i përmend tifozët që i dhanë mbështetje të madhe kombëtares.
“Mbështetja e tifozëve ka qenë e jashtëzakonshme. Kanë qenë pranë nesh gjithmonë dhe jemi mirënjohës për këtë, shpresoj që do t’i bëjmë krenar për t’i dhënë gjithçka në fushë”, tha ai.
Kosova është veç një hap larg shkrimit të historisë.
Në rast të fitores kundër turqve, “Dardanët” do të marrin pjesë për herë të parë në garën më të rëndësishme të futbollit, Kampionatin Botëror që mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë.
Të martën, me fillim nga ora 20:45 loja do të zhvillohet në Prishtinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
