Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar sërish lidhur me shembjen e dheut në rrugën “Don Shtjefën Kurti” në kryeqytet.
Nga kjo kompani kanë thënë se bazuar në vëzhgimet fillestare në terren dhe pamjet e publikuara, vlerësohet se kjo gjendje nuk lidhet me rrjetin e ujësjellësit, por më tepër me aktivitetet e gërmimeve dhe ndërhyrjeve në terren.
Sipas KUR “Prishtina”, këto gërmime kanë ndikuar në destabilizimin e shtresave të dheut dhe krijimin e kushteve për rrëshqitje.
Si pasojë e kësaj rrëshqitjeje, kjo kompani ka thënë se është dëmtuar edhe infrastruktura e ujësjellësit në atë zonë.
“KRU Prishtina thekson se disponon kapacitete profesionale dhe teknike, përfshirë inxhinierë të specializuar, të cilët do të bëjnë një analizë të detajuar të situatës në terren. Kjo analizë do të përfshijë vlerësimin e gjendjes së tokës, ndikimin e punimeve të kryera, si dhe verifikimin e çdo ndikimi të mundshëm në rrjetin e ujësjellësit. Deri në përfundimin e këtyre analizave dhe raportit përfundimtar profesional, rekomandojmë që të mos jepen përfundime të parakohshme dhe të mos i atribuohet përgjegjësia rrjetit të ujësjellësit pa u bazuar në fakte dhe vlerësime të mirëfillta teknike”, thuhet në reagimin e kësaj kompanie.
