Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të hënën ka vendosur t’i mbyll të gjitha vendpunishtet në kryeqytet nëse evidentohen shkelje, pas shembjes së një pjese të rrugës “Don Shtjefën Kurti”.
I pari i kryeqytetit tha se për shkak të gjendjes aktuale në terren dhe me qëllim të rritjes së sigurisë publike, sot në mëngjes ka ftuar drejtorët e Kryeqytetit dhe ka marrë vendim për krijimin e “Komisionit për Vlerësimin Emergjent të të gjitha vendpunishteve në territorin e Kryeqytetit”
“Ky komision, i përbërë nga ekspertë të fushës së
- urbanizmit
- inxhinierë të licencuar
- përfaqësues të emergjencave, do të fillojë menjëherë inspektimet në të gjitha vendpunishtet aktive në Kryeqytet.
Pas pranimit të këtij raporti, dua të jem shumë i qartë:
Të gjitha vendpunishtet ku evidentohen shkelje apo probleme serioze të sigurisë do të mbyllen menjëherë!
Ato do t’i nënshtrohen një analize të detajuar institucionale, e cila mund të rezultojë deri në revokim të lejes së ndërtimit!
Çdo inspektor komunal që nuk ka raportuar çfarëdo parregullsie në terren do të mbahet përgjegjës.
Ftoj të gjitha subjektet ndërtimore që të bashkëpunojnë plotësisht me institucionet dhe të respektojnë ligjin.” – shkroi Rama.
