Mallra të kontrabanduara në vlerë 30 mijë euro, kapen në Pejë

Mallra të kontrabanduara në vlerë 30 mijë euro, kapen në Pejë

Gjatë kontrolleve në një subjekt afarist dhe në një shtëpi banimi në Pejë, Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka gjetur dhe konfiskuar mallra të ndryshme kontrabandë.

Sipas njoftimit të Policisë, thuhet se gjatë kontrollit te subjekti afarist janë gjetur dhe konfiskuar “684 cigare elektrike, 1400g duhan i grirë, 94 shije për cigare elektrike, 1016 filtra për cigare elektrike, 8kg shije për shisha, 6675 cigare të llojeve të ndryshme dhe 94 cigare PURO”.

“Ndërsa, gjatë ushtrimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarve janë gjetur dhe konfiskuar cigare të kontrabanduara të llojeve të ndryshme – 38200 copë, filtër për cigare elektrike – 36200 copë, dhe filtër për shishë elektrike – 853 copë”, tha Policia në njoftim.

Sipas vlerësimit preliminar nga zyrtarët e Doganës, mallrat e konfiskuara sillen në vlerën rreth 30.000 euro.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit kujdestar, ndaj dy personave të dyshuar për veprat penale “Tregtia e ndaluar” dhe “Kontrabandimi i mallrave” do të procedohet kallëzim penal, si dhe do të ndërmerren procedurat tjera ligjore të parapara për të tilla raste.

Ky aksion u realizua nga Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në zbatim të urdhëresave lëshuara nga Gjykata Themelore Pejë, në asistim të inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës dhe të Njësitit Anti-Kontrabandë të Doganave të Kosovës. 

Related Articles