Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara mund ta përfundojnë së shpejti luftën me Iranin, duke lënë të hapur njëkohësisht mundësinë për sulme të kufizuara në të ardhmen.
Duke folur disa orë para se ta mbajë një fjalim drejtuar kombit më 1 prill, Trump i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “do ta përfundojmë shumë shpejt”, kur u pyet se kur do ta vlerësonte SHBA-ja përfundimin e luftës.
Megjithëse tha se “nuk mund të them saktësisht” kur do të përfundojë lufta, ai argumentoi se një nga qëllimet kryesore tashmë është arritur, pasi veprimet ushtarake amerikane kanë rrënuar kapacitetin bërthamor të Iranit.
Trump gjithashtu i tha Reuters se në fjalimin e tij të 1 prillit do të shprehej se po e shqyrton tërheqjen e SHBA-së nga NATO-ja, për shkak të mungesës së mbështetjes së aleancës për synimet amerikane në Iran.
Komentet e tij pasqyruan deklarata të mëparshme në një intervistë për Telegraph, ku ai e quajti aleancën ushtarake “tigër prej letre” dhe tha se largimi nga NATO-ja “po rishqyrtohet”.
Trump dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë vënë shpesh në pikëpyetje vlerën e aleancës nëse SHBA nuk mund të përdorë lirshëm bazat në vendet aleate për të mbrojtur interesat e veta.
Mediat raportuan këtë javë se Spanja dhe Italia – të dyja anëtare të NATO-s – kishin refuzuar të lejonin avionët ushtarakë amerikanë të përdornin bazat e tyre ajrore për operacione në Iran.
Administrata amerikane ka kritikuar gjithashtu hezitimin e anëtarëve të NATO-s për të dërguar anije luftarake për të thyer bllokadën iraniane ndaj Ngushticës së Hormuzit, një rrugë e rëndësishme ujore që përdoret për transportimin e rreth 20% të naftës dhe gazit në botë.
Disa aleatë evropianë kanë refuzuar të përfshihen drejtpërdrejt në luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, ku janë kryer sulme ajrore të përditshme ndaj vendit të Lindjes së Mesme. Teherani është përgjigjur duke lëshuar raketa dhe dronë ndaj objektivave në rajon, duke rritur frikën për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit.
Disa nga anëtarët kryesorë të NATO-s reaguan ashpër ndaj komenteve të Trumpit, duke mbrojtur aleancën dhe veprimet e saj.
