Orban viziton gazsjellësin në kufirin hungarezo – serb, pas dyshimeve për sabotim

Orban viziton gazsjellësin në kufirin hungarezo – serb, pas dyshimeve për sabotim

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka udhëtuar të hënën drejt gazsjellësit Rrjedha Turke (TurkStream) që gjendet në kufirin hungarezo-serb, për të inspektuar infrastrukturën të cilën Qeveria e tij thotë se është shënjestruar nga tentime të dështuara sabotimi – gjashtë ditë para zgjedhjeve parlamentare, që sipas sondazheve, ai do të mund t’i humbë.

“Dje ata dëshiruan të shpërthejnë tubacionin e gazit”, ka shkruar Orban në Facebook para se të nisej për në pikën kufitare.

“Jemi duke kontrolluar nëse gjithçka është në rregull në anën hungareze”.

Autoritetet serbe kanë thënë se i kanë gjetur dy çanta me rreth katër kilogramë të lëndëve shpërthyese afër fshatit Velebit në veri të Serbisë, më 5 prill, bashkë me kapakë detonatorësh dhe mjete të përdorura për të montuar pajisje shpërthyese.

Zyra e Prokurorit të Lartë në Suboticë ka thënë se rasti është klasifikuar si trafikim i paligjshëm i armëve ilegale dhe lëndëve shpërthyese të lidhura me sabotazhin e dyshuar.

Zbulimi ka nxitur shpejt polemika mbi përgjegjësinë, teksa gjithçka ka ndodhur në periudhën pak para zgjedhjeve në Hungari.

Duke folur në një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Mbrojtjes së Hungarisë, Orban nuk e ka përmendur me emër Ukrainën, mirëpo ka thënë se Kievi “me vite ka tentuar t’ia pamundësojë Evropës energjinë ruse”, dhe ka shtuar se sulmet në segmentin rus të Rrjedhës Turke përbëjnë “rrezik vdekjeprurës për Hungarinë”.

Ministria e Jashtme e Ukrainës e ka hedhur poshtë çdo përfshirje.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se “nuk ka të dhëna të besueshme” se kush është përgjegjës, mirëpo ka sugjeruar se Ukraina mund të jetë e përfshirë, duke cituar ato që ai ka pretenduar se kanë qenë sulme në infrastrukturën e energjisë në të kaluarën.

Reagime pati edhe nga inteligjenca ushtarake e Serbisë.

Duro Jovaniq, drejtor i Agjencisë Ushtarake të Sigurisë ka thënë se “nuk është e vërtetë që ukrainasit kanë tentuar të organizojnë këtë sabotazh” dhe që atribuime të tilla do ta komplikojnë gjetjen e përgjegjësit.

“Bazuar në shënimet në lëndët shpërthyese, është e qartë se prodhuesi është nga Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Jovaniq.

“Tani, a do të sugjerojë dikush që Shtetet e Bashkuara do të përfitonin nga kjo situatë në këtë moment?”.

Sipas tij, analizat forenzike të dëshmive janë duke u kryer dhe do të ketë informacione të reja.

Ai, po ashtu, ka thënë se agjencia që drejton, ka muaj që paralajmëron lidershipin politik që mund të ketë sulme në infrastrukturën e gazit, por që shqetësimet e tij janë pritur me “skepticizëm dhe mospajtime”.

Jovaniq ka pretenduar se një imigrant me trajnim ushtarak është mbrapa operacionit të dyshuar të sabotazhit.

Related Articles