Policia e Shkodrës arrestoi 3 persona për ushtrim të aktivitetit të kundërligjshëm në prodhimin e produkteve ushqimore si dhe kanosje ndaj 2 shtetasve (babë e bir), me qëllim përfitimin e pasurisë.
Në pranga u vunë shtetasit G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), dhe A. B., 61 vjeç, të tre banues në Shkodër, shkruan Euronews.al,
“Këta shtetas dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur për motive të dobëta 2 shtetas (babë e bir), me qëllim përfitimin e pasurisë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në aktivitetin tregtar të shtetasve G. B. dhe E. B., është konstatuar se këta të fundit prodhonin produkte ushqimore të pamiratuara nga autoritetet përkatëse, si dhe në kushte jashtë standardeve higjieno-sanitare për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë bllokimi i ushtrimit të aktivitetit dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, etiketa dhe stampa për 8 produkte të ndryshme ushqimore, si dhe 3 aparate celularë”, bëri me dije policia.
