Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk janë propozuar emra të rinj si kandidatë për president.
Ai hodhi spekulimet për se është propozuar vetë ai për të marrë drejtimin e shtetit, teksa theksoi se LDK-ja nuk do të mbështesë një zgjidhje ku të gjitha pozitat kryesore shtetërore i takojnë një partie të vetme.
“Janë spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, e aq më pak për emrin tim. Pra, kemi folur për dy propozimet aktuale të LVV-së, dhe dje në mëngjes i kam kthyer përgjigje që LDK nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike. Tani shohim gjatë javës së ardhshme për takime tjera. Nuk ka zhvillime tjera, nuk kemi propozuar emër, nuk kemi kërkuar asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai shtoi se është i interesuar për zgjidhje, mirëpo shtoi se nëse nuk ka, atëherë të shkohet në zgjedhje.
“Jam i interesuar që të bëjmë një zgjidhje, por nëse jo, të shkojmë në zgjedhje të reja sipas afatit kushtetues. Dhe në këtë fazë jam shumë i interesuar, më tepër se gjithçka tjetër, sidomos kur bëhet fjalë për mua, jo i dhënë për pozita, por shumë i interesuar të bëj bashkimin e djathtë brenda LDK-së”, tha kreu i LDK-së.
Ndër të tjera, Abdixhiku tregoi se është takuar me homologun e tij nga PDK, Bedri Hamzën, kurse për kreun e AAK-së tha se “punë e madhe” nëse nuk dëshiron të takohet.
“Jam takuar me zotëri Hamzën, kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyte. Zoti Haradinaj ka pasur refuzim të takimit. Thënë të drejtën, është qëndrim i tyre që s’duan të takohen, por mos të ankohen më pas, sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket, zoti Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, por që s’don me u taku, punë e madhe”, u shpreh kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas akademisë përkujtimore për Betejën e Koshares.
