Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka reaguar lidhur me vdekjen e ish-kongresistit Eliot Engel, duket thënë se lajmi për vdekjen e tij është jashtëzakonisht i dhembshëm dhe se, ish-kongresisti, mbeti një personalitet i rrallë dhe i papërsëritshëm.
Sejdiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook kashkruar se ‘’i falemi përjetë angazhimit të shumanshëm’’ të Engel.
“Kosova do ta ndjejë me dhembje shkuarjen tënde në amshim, por me falënderimin më të madh për të bëmat e jashtëzakonshme që ia dhe vendit dhe popullit tonë”, ka shkruar Sejdiu.
Postimi i plotë:
Lamtumirë, mik i dashur
Lajmi për vdekjen e kongresmenit shumëvjeçar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel, është jashtëzakonisht i dhembshëm.
Eliot Engel ishte dhe mbeti një personalitet i rrallë dhe i papërsëritshëm, i cili me gjithë energjinë e tij i ishte përkushtuar mbrojtjes së Kosovës dhe popullit të saj.
E kam takuar shumë herë. Gjithmonë i paluhatur, edhe atëherë kur lufta e kërcënonte Kosovën, e edhe atëherë kur Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran, duke u angazhuar për njohjen e pavarësisë së saj dhe zhvillimin e saj sa më të shpejtë.
I falemi përjetë angazhimit të tij të shumëanshëm.
Kosova do ta ndjejë me dhembje shkuarjen tënde në amshim, por me falënderimin më të madh për të bëmat e jashtëzakonshme që ia dhe vendit dhe popullit tonë.
Prehu në paqe, miku im!
