“Në Hungari, humbja e Orban tregon se si populizmi mund të përfundojë në qorrsokak”

“Në Hungari, humbja e Orban tregon se si populizmi mund të përfundojë në qorrsokak”

Humbja e Viktor Orban do të thotë se Hungaria do të ketë një ndryshim qeverie për herë të parë që nga viti 2010.

Megjithëse sondazhet kishin sugjeruar një fitore vendimtare për partinë opozitare Tisza, shumë nga mbështetësit e saj refuzonin t’i lejonin vetes të imagjinonin se si do të ndihej fitorja. Pas 16 vitesh sundimi nga partia joliberale Fidesz e Orbanit, fusha zgjedhore ishte anuar aq shumë kundër kundërshtarëve të tij, sa disa vinin në dyshim nëse një alternativë ishte e mundur.

Kështu, kur Orban pranoi humbjen përballë kundërshtarit të tij, Peter Magyar, për disa kjo u ndje si ndryshim regjimi. Andras Petocz, një shkrimtar dhe poet, tha se ndjesia i kujtoi kohën kur ishte në Budapest gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik.

“Isha 30 vjeç kur ra regjimi komunist. Është e njëjta ndjesi – e njëjta”, i tha ai CNN nga brigjet e Danubit, ku mijëra mbështetës të Fidesz ishin mbledhur për t’i dëgjuar rezultatet.

Magyar, kryeministri i ardhshëm, i tha turmës: “Së bashku, ne zëvendësuam regjimin e Orbanit. Së bashku, ne çliruam Hungarinë. Ne e morëm vendin tonë mbrapsht”.

Megjithëse shumë gjëra mbeten të paqarta – nga madhësia e shumicës së Tisza-s në parlament deri te mënyra se si do të fillojë ta çmontojë sistemin që ndërtoi Fidesz – humbja e Orbanit ka treguar se si populizmi mund të përfundojë në qorrsokak. Humbja e tij ofron mësime për ata që do të kërkonin ta imitonin dhe për ata që janë të kënaqur ta shohin të largohet.

Mësimi i parë është se është e vështirë të internacionalizohet nacionalizmi. Pasi ka qeverisur për kaq gjatë si kampion i sovranitetit kombëtar – duke premtuar ta mbrojë Hungarinë nga kërcënimet e pretenduara të Bashkimit Europian dhe ideologjisë liberale – fushata e Orbanit në fund u mbështet fort në përkrahjen e aleatëve të tij të fuqishëm ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi.

I dërguar në Budapest javën e kaluar për ta ndihmuar aleatin më të afërt të administratës Trump në Europë, Zëvendëspresidenti JD Vance tha se ishte i gatshëm ta ndihmonte Orabnin “sa më shumë që të mundem. Presidenti Donald Trump shkoi edhe më tej. “DILNI DHE VOTONI PËR VIKTOR ORBAN”, shkroi ai në Truth Social. “Ai është një mik i vërtetë, luftëtar dhe FITUES”.

Përpjekjet e administratës Trump nuk funksionuan. Ndërsa disa hungarezë – të mbledhur në një sallë në Budapest për ta dëgjuar Vance të martën – pa dyshim u ndjenë të vlerësuar nga vëmendja e një superfuqie dhe mirënjohës ndaj kryeministrit që e kishte sjellë atë, ka diçka kontradiktore në idenë se njerëzit do të votojnë për një politikan nacionalist sepse një fuqi e huaj ua kërkon këtë.

Para humbjes së Orabnit, Ivan Krastev, një shkencëtar politik bullgar që e njeh Orbanin që nga vitet 1990, i tha CNN: “Ironia është se nëse ai do të humbasë, do të humbasë si një globalist”. Duke thirrur në ndihmë miqtë e tij të fuqishëm jashtë vendit, Orban po “bënte gjithçka që do të prisnit nga liderë politikë fort ndërkombëtaristë”.

Një arsye pse fushata e Orbanit u fokusua kaq shumë në politikën e jashtme është se bilanci i tij i brendshëm ishte kaq i dobët. Ky është një tjetër mësim nga humbja e tij: populizmi ka të bëjë me fitimin e ditës, javës, ciklit të lajmeve. Për të funksionuar, ky model qeverisjeje “betejë pas beteje” ka nevojë për një rrjedhë të vazhdueshme armiqsh. Orban gjeti shumë: OJQ-të, universitetet liberale, George Sorosin, lëvizjen LGBTQ, Bashkimin Europian.

Por në fund të fundit, të mbarojnë “dragojt” që ke për të vrarë. Një pjesë e madhe e fushatës së Orbanit e demonizoi Ukrainën fqinje. Budapesti është i mbuluar me postera të presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky. Disa shkruajnë: “Rrezik!” Të tjerë: “Mos e lini të qeshë i fundit”.

Pa një ekonomi në lulëzim, apo një sistem shëndetësor të mirëmenaxhuar, apo arritje të tjera konkrete për t’u treguar, fushata e Orbanit synoi t’i frikësonte hungarezët për të votuar për Fidesz duke u paraqitur si “zgjedhja e sigurt” për ta mbrojtur Hungarinë nga kërcënimet e pretenduara nga Ukraina. “Ai gjithmonë flet për sovranitetin, por të besosh se kërcënimi kryesor për sovranitetin hungarez është Ukraina (u bë) komike”, tha Krastev.

Për t’iu kundërvënë paralajmërimeve të paqarta të Orbanit për rrezikun nga jashtë, Magyar thjesht duhej të tregonte bilancin e tij në vend – me të cilin hungarezët nuk ishin shumë të impresionuar.

Për ata që kërkojnë t’i mposhtin populistët, humbja e Orbanit ofron gjithashtu mësime. Pavarësisht fitores së tij dërrmuese, shumë hungarezë të majtë dhe liberalë nuk janë shumë të entuziazmuar nga Magyar, një ish-insajder i Fidesz që mbetet thellësisht konservator.

Megjithatë, hungarezët u bashkuan rreth Magyarit, duke e gjykuar saktë si shansin e tyre më të mirë elektoral për ta mposhtur Orbanin. Peter Kreko, një shkencëtar politik që drejton think-tank-un Political Capital në Budapest, i tha CNN se votuesit më liberalë në Hungari nuk lejuan që e përsosura të bëhej armike e së mirës.

Në një fjalim fitoreje përballë parlamentit të Hungarisë, Magyar u tha mbështetësve të tij se ishte i qartë për sfidat që e prisnin. Ai i bëri thirrje Orbanit të vepronte si një “kujdestar” dhe të mos pengonte punën e qeverisë së ardhshme.

Por për mbështetësit e tij, nëse Tisza mund ta çmontojë modelin orbanist dhe të qeverisë në mënyrë efektive dukej si një pyetje për një natë tjetër.

“Do të ishte një kthesë e mirëpritur nëse Hungaria do të kalonte nga një model i joliberalizmit, post-të-vërtetës dhe autoritarizmit në botën perëndimore në një model të ndryshimit demokratik”, tha Kreko. Do të shohim.

Related Articles