Ekipi kombëtar i vashave i SHBA-së e ka fituar medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike 2020 në Tokio, pasi e mundi Australinë 4:3 në një ndeshje drithëruese për vendin e tretë.
Futbollistet veterane Megan Rapinoe dhe Carli Lloyd i shënuan nga dy gola secila për t’ia siguruar SHBA-së medaljen e bronztë olimpike të enjten.
Rapinoe i hapi serinë e golave herët në ndeshje kur shënoi në minutën e 8-të, para se Sam Kerr ta barazonte rezultatin në 1:1 në minutën e 17-të. Epërsinë e SHBA-së e rikthye Rapinoe në minutën e 21-të, ndërsa Lloyd shënoi për 3:1 në çastet e fundit të pjesës së parë.
Lloyd shënoi edhe një herë në minutën e 51-të, duke e rritur në 4:1 epërsinë e amerikaneve. Australianet kërcënuan me rikthim, kur Caitlin Foord e ngushtoi epërsinë në minutën e 54-të dhe Emily Gielnik shënoi për 3:4 në minutën e 90-të. Por SHBA-ja u mbajt në ato pak minuta të mbetura dhe si rrjedhojë e fitoi medaljen e bronztë.