Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në fjalën e tij në emër të Grupit Parlamentar, lidhur me Ligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili aktualisht po shqyrtohet në Komisionin për Legjislacion, ka bërë të ditur se sot do të abstenojnë, ndërsa ka kushtëzuar votimin në leximet e ardhshme.
Gruda theksoi se ligji deri tani ka hasur në mangësi të shumta dhe vuri në dukje se ligji është rrëzuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe ka marrë vërejtje nga Komisioni i Venecias.
“Jam këtu për të paraqitur qëndrimet e PDK-së, lidhur me Ligjin për Verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ky është një ligj i ndjeshëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe për të drejtat dhe liritë e njeriut, andaj adresimi për çështjet duhet të bëhet me kujdes të jashtëzakonshme. Gjykata ka rrëzuar dy drafte, njëri në përmbajtje të ligjit, dhe tjetri porsa i takon procedurës së ndjekur dhe kemi pasur dy rekomandime të Komisionit të Venecias që poashtu kanë gjetur vërejtje të rëndësishme për përmirësimin e këtij ligji”.
Një shqetësim i veçantë i PDK-së është mungesa e konsultimit publik, që sipas Grudës është standard i domosdoshëm për ligje të ndjeshme, transmeton Klankosova.tv
“Vërejtjet e PDK-së, për këtë ligj, ne nuk jemi në parim kundër ligjit, e para, ligji deri këtu nuk është bërë mirë dhe është rrëzuar në Gjykatë Kushtetuese, për këtë ligj nuk ka pasur konsultim publik, do të duhej të vihej në konsultim publik. Është keq, sepse një ligj kaq i ndjeshëm duhet t’i nënshtrohej debatit nga ekspertët. Konsultimi publik është standard që e kërkon Gjykata Kushtetuese, ka qenë një lëshim që nuk do të duhej të ndodhte. Të hapim konsultimin publik, t’i adresojmë vërejtjet, dhe të sjellim në Kuvend për miratim”, tha Gruda,
Ai njoftoi se PDK do të abstenojë në votim sot për të dhënë mundësinë që ligji të përmirësohet para leximit të dytë, duke nënvizuar se nëse vërejtjet nuk përmirësohen, këtë ligj si parti nuk mund ta votojnë.
“E dyta, Gjykata Kushtetuese ka bërë vërejtje për ligjin, ka thënë që çdo gjë duhet të bëhet me ligj, meqë prek të drejtat dhe liritë e njeriut. Prapë është lënë që disa akte nënligjore… Një çështje teknike, Ligji e ka emrin “Ligji për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pasjustifikueshme”, titulli nuk i përshtatet përmbajtjes së Ligjit, Byroja nuk konfiskon pasuri, prandaj s’mund të jetë fjala “konfiskon”. Titulli i ligjit nuk e reflekton përmbajtjen e ligjit.
PDK do të abstenojë për me dhanë një shans që na mes dy leximeve me përmirësu ligjin dhe në lexim të dytë me miratu siç duhet, nëse vërejtjet nuk adresohen ne nuk mund ta kalojmë këtë ligj”, përfundoi Gruda.
