Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila, ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja për shkak të kostos dhe pasojave që ato mund të sjellin.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ajo tha se deri më tani iniciativat për zgjidhjen e çështjes së presidentit kanë ardhur vetëm nga kryeministri dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Uroj që sot të ketë marrëveshje. T’ju rikujtoj se gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ka qenë vetëm kryeministri Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizja Vetëvendosje që kanë bërë propozime për emrin e presidentit. Na asnjë rast deri më tani nga të gjitha takimet, qoftë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka pasur propozime apo nuk ka pasur ndonjë iniciativë për të zgjidhur çështjen e presidentit apo për të dhënë emër konkret në të cilin ne do të mund të jepnim përgjigjen”, tha ajo.
Kusari Lila theksoi se shpreson për një qasje pozitive nga të gjitha palët, duke nënvizuar se procesi po udhëhiqet nga kryeministri në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Prandaj megjithëse shpresoj që do të ketë një marrëveshje, përkundër se kjo është kompetencë e drejtpërdrejtë e kryeministrit i cili zhvillon në cilësinë e kryetarit të lëvizjes vetëvendosje këto takime dhe vendit të fitojë atë çfarë më së paku e ka të nevojshme apo e ka fare të panevojshme shkuarjen në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja do të kenë përveçse kosto, vonesa dhe ngecje në funksionet vitale të shtetit tonë, përkundër se do të rrezikonin edhe disa prej proceseve të cilat tashmë janë në një dinamikë shumë pozitive të vendit tonë”, tha ajo.
