Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Arian Gashi, me të cilin ka diskutuar për sfidat me të cilat përballet sistemi prokurorial në vend.
Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se ata kanë folur për domosdoshmërinë e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Folëm për reformat në drejtësi dhe domosdoshmërinë e përmbylljes sa më të shpejtë të procesit për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit”, ka thënë Haxhiu.
Në takim është folur edhe për nevojat buxhetore, infrastrukturën, si dhe nevoja për më shumë prokurorë dhe staf mbështetës, çështje që ndikojnë në efikasitetin institucional.
“Riafirmova përkushtimin për pavarësinë institucionale dhe forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.
