Komisioni për Ekonomi me shtatë vota për dhe një abstenim ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për tregti të lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.
Për rëndësinë e këtij projektligji raportoi ministrja e Ministrisë së Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila theksoi se projektligji ka rëndësi të madhe ekonomike për vendin.
“Kjo marrëveshje buron nga nënshkrimi i deklaratës së përbashkët në mes të Republikës së Kosovës dhe shteteve të EFTA-s. Kjo marrëveshje përfshin fusha të ndryshme për të cilat palët janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në tregtinë e mallrave dhe përmes eliminimit të tarifave doganore për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në treg për produktet bujqësore, të drejtat e pronësisë, si dhe vendosjen e rregullave të qarta për origjinën e mallrave dhe rritjen e sigurisë juridike të operatorëve ekonomikë.” tha ajo.
