Gërvalla pas aktgjykimit për Banjskën: Drejtësi e pjesshme, pa përgjegjësinë e Radoiçiqit

Gërvalla pas aktgjykimit për Banjskën: Drejtësi e pjesshme, pa përgjegjësinë e Radoiçiqit

Pas shpalljes së aktgjykimit për sulmin e armatosur në Banjskë, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se vendimi gjyqësor përbën një hap të rëndësishëm në vendosjen e drejtësisë, ndonëse ajo theksoi se procesi nuk është përmbyllur plotësisht.

Gërvalla ka vlerësuar dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve për sulmin e 24 shtatorit 2023 në veri të vendit, duke theksuar se ato vendosin përgjegjësi, por nuk e zhbëjnë dëmin e shkaktuar.

“Aktgjykimet për sulmin terrorist në Banjskë nuk e kthejnë në jetë Heroin e Kosovës, rreshterin e Policisë, Afrim Bunjaku, i cili ra duke mbrojtur rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, vendimi gjyqësor nuk ndryshon faktin se, siç u shpreh, sulmi është organizuar dhe mbështetur nga Serbia.

“Ato nuk e ndryshojnë faktin se Serbia e përgatiti, e organizoi, e mbështeti dhe e financoi këtë sulm”, tha Gërvalla, duke shtuar se rreziku për stabilitetin e vendit mbetet ende i pranishëm.

Ajo ka kritikuar gjithashtu, siç u shpreh, hezitimin e një pjese të bashkësisë ndërkombëtare për ta cilësuar ngjarjen si sulm agresor.

“Sulmi ishte sulm, vrasja ishte vrasje, agresioni ishte agresion, një sulm i hapur agresor i shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo.

Ministrja theksoi se drejtësia duhet të jetë e plotë dhe se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për sjelljen para drejtësisë të të gjithë të përfshirëve.

“Ata duhet të ekstradohen dhe të dalin para drejtësisë në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe organizatorin dhe drejtuesin e këtij grupi, Milan Radoiçiq”, u shpreh Gërvalla.

Ajo shtoi se institucionet e vendit nuk do të ndalen derisa, siç tha, çdo person përgjegjës për këtë dhe krime të tjera të japë llogari para drejtësisë.

Në fund, Gërvalla theksoi se Kosova garanton proces gjyqësor të drejtë dhe transparent, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Related Articles