Më shumë se 100 aktivistë pro-palestinezë, që ndodheshin në anije me ndihma që po shkonin drejt Gazës, u dërguan të premten në ishullin grek të Kretës, pasi forcat izraelite i ndaluan flotën e tyre në ujërat ndërkombëtare pranë Greqisë.
Këta aktivistë ishin pjesë e një flote të dytë, e organizuar nga aktivistë ndërkombëtarë që mbështesin Palestinën. Qëllimi i tyre ishte të çonin ndihma humanitare në Gaza dhe të sfidonin bllokadën izraelite.
Anijet u nisën nga porti i Barcelonës në Spanjë më 12 prill.
Të premten, një anije e ushtrisë izraelite transferoi 168 persona nga këto anije në anije greke.
Më pas ata u dërguan në breg në Kretë, ku i prisnin autobusë dhe një ambulancë. Kjo u konfirmua nga vetë organizatorët e këtij misioni dhe nga pamjet e agjencisë Reuters.
Sipas organizatorëve të flotës, dy aktivistë mbetën në duart e autoriteteve izraelite.
Një burim, që kërkoi të mbetet anonim, tha se 22 anije ishin ndaluar nga Izraeli, ndërsa 47 të tjera vazhdojnë të lundrojnë në jug të Kretës dhe planifikojnë të ankorohen aty përpara se të vazhdojnë drejt Gazës.
