Sulmet ruse në Ukrainë të martën lanë të vrarë të paktën 22 njerëz, përfshirë 12 në njërin nga sulmet më të rënda deri më tani këtë vit, ndërsa po afrohet afati për një propozim nga Kievi për armëpushim pa afat të caktuar.
Rusia njoftoi armëpushim për datat 8 dhe 9 maj, kur shënon përvjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe mban një paradë ushtarake, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ukraina, si kundërpërgjigje, njoftoi një propozim për armëpushim pa datë të caktuar të përfundimit, duke filluar nga mesnata e së mërkurës, duke i bërë thirrje Rusisë që të veprojë në mënyrë reciproke. Presidenti Volodymyr Zelensky tha se nuk është opsion për Rusinë që të ndalen sulmet për një ditë për paradën e saj ushtarake, ndërkohë duke e sulmuar rëndë Ukrainën.
Së paku 12 njerëz u vranë në qytetin Zaporizhia, thanë shërbimet emergjente në rrjetin “Telegram”. Sipas guvernatorit rajonal, Ivan Fedorov, të paktën 16 u lënduan.
Ndërtesa banimi, një shërbim për riparimin e veturave dhe një autolarje u dëmtuan në sulm, tha ai, duke shtuar se sulmi gjithashtu shkaktoi zjarre në një dyqan dhe në një ndërmarrje të paidentifikuar.
Në Rusi, një sulm ukrainas me dron në rajonin Chuvashia la të vrarë dy njerëz të martën, raportoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve.
