Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një vizitë në Hagë, ku është takuar me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.
Përmes një reagimi publik, Krasniqi ka theksuar se, edhe pas viteve të gjata dhe të vështira të procesit gjyqësor, Veseli dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdojnë të ruajnë dinjitetin, qetësinë dhe besimin në drejtësi.
Ai e përshkroi Veselin si të palëkundur në bindjet e tij, me dashuri të madhe për Kosovën dhe me mall për vendin dhe qytetarët e saj. Sipas Krasniqit, pritja e gjatë dhe shtyrjet e vazhdueshme të vendimit e bëjnë procesin edhe më të rëndë për të akuzuarit dhe familjet e tyre.
“Vazhdojmë të besojmë fuqishëm në pafajësinë e tyre dhe në të drejtën që ky proces të përfundojë sa më shpejt, me një vendim të drejtë, të pa ndikuar dhe përfundimtar”, ka deklaruar ai.
Krasniqi shtoi se janë duke “numëruar ditët” deri në kthimin e tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe qytetarëve, duke përcjellë edhe përshëndetjet e Veselit dhe bashkëluftëtarëve të tij për publikun në vend.
