Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen thotë se Rusia po e tejkalon Evropën në prodhimin e armëve

Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen thotë se Rusia po e tejkalon Evropën në prodhimin e armëve

Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, ka ngritur alarmin se Rusia po e rrit me shpejtësi kapacitetin e saj ushtarak dhe po e lë pas Bashkimin Evropian në garën e armatimeve.

Sipas tij, situata duhet të merret seriozisht, pasi prodhimi ushtarak rus është në rritje të vazhdueshme dhe kjo krijon një disbalancë në raport me vendet evropiane. Ai ka theksuar se Evropa duhet të përshpejtojë industrinë e saj të mbrojtjes dhe të rrisë prodhimin e armëve dhe municioneve.

Kubilius ka deklaruar se një skenar ku Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s ose të Bashkimit Evropian në të ardhmen nuk mund të përjashtohet dhe po bëhet gjithnjë e më realist sipas vlerësimeve të zyrtarëve evropianë.

Ai ka shtuar se aktualisht BE po përpiqet të rrisë prodhimin industrial ushtarak, por ka vende anëtare që nuk po ecin me të njëjtin ritëm, gjë që krijon boshllëqe në kapacitetet mbrojtëse të bllokut.

Paralajmërime të ngjashme janë dhënë më herët edhe nga drejtues të NATO-s, të cilët kanë theksuar se Rusia prodhon në pak muaj sasi të mëdha municionesh, në nivele shumë më të larta se vendet anëtare të aleancës në tërësi.

Në këtë kontekst është përmendur edhe incidenti i vitit të kaluar, kur disa dronë të dyshuar rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë, duke shkaktuar reagim të forcave të NATO-s dhe rritje të alarmit për sigurinë rajonale.

Zyrtarët evropianë paralajmërojnë se këto zhvillime tregojnë një rritje të tensioneve dhe nevojën për forcim të menjëhershëm të kapaciteteve mbrojtëse në Evropë.

Related Articles