Ish-deputeti i PDK-së, Shukri Buja, ka bërë thirrje publike ndaj strukturave të Partisë Demokratike e Kosovës që të shqyrtojnë seriozisht përfshirjen e Fatmir Limaj në listën për deputetë të kësaj partie.
Përmes një reagimi publik, Buja tha se edhe në zgjedhjet e kaluara kishte kërkuar që Limaj të përfshihej në listën e PDK-së, ndërsa theksoi se këtë kërkesë po e përsërit “me ngulm të plotë”.
“Nuk është e kuptueshme qasja që po ndjek Partia Demokratike e Kosovës, kur për hir të votave hapen dyert për këdo pa standarde të qarta politike dhe morale, ndërsa në të njëjtën kohë mbyllen dyert për ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tonë politik dhe historik” u shpreh Buja.
Ai ka përmendur edhe bashkëpunimin e dikurshëm me strukturat e NISMËS Socialdemokrate, duke theksuar se me ta kanë ndarë momente kyçe të shtetndërtimit të Kosovës.
Postimi i plotë:
Të nderuara struktura, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të Kosovës!
Edhe në zgjedhjet e kaluara kam bërë thirrje që të merret seriozisht përfshirja e Fatmir Limajt në listën për deputet nga PDK dhe këtë kërkesë e përsëris sërish sot me ngulm të plotë.
Nuk është e kuptueshme qasja që po ndjek Partia Demokratike e Kosovës, kur për hir të votave hapen dyert për këdo pa standarde të qarta politike dhe morale, ndërsa në të njëjtën kohë mbyllen dyert për ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tonë politik dhe historik.
Sot pranohen figura që deri dje e kanë sulmuar dhe fyer këtë parti, vetëm sepse sjellin vota.
Ndërkohë, lihet anash bashkëpunimi me Fatmir Limajn dhe me struktura të NISMA Socialdemokrate, me të cilët kemi ndarë rrugëtim në momente kyçe të shtetndërtimit.
Në kohë të vështira, nevojiten vendime më të qarta, më të drejta dhe me më shumë guxim politik.
Koha e vendimeve të mëdha nuk duron llogari të vogla!
