Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi, ka deklaruar se shqiptarët në RMV nuk kanë arritur ndonjë sukses të madh politik brenda shtetit, pavarësisht përmirësimit të përgjithshëm të pozitës së tyre ndër vite.
Në emisionin Rubikon, Thaçi tha se gjendja aktuale e shqiptarëve nuk është rezultat i drejtpërdrejtë i partive politike shqiptare, por i proceseve të përgjithshme demokratike në Ballkan.
“Ndoshta mund të duket e komplikuar për Kosovën kur i sheh të drejtat apo shqiptarët e Maqedonisë. Një konstatim që është i përgjithshëm është se ne jemi mirë, edhe mund të jetë kështu. Por, kjo nuk është ndonjë rezultat i politikës shqiptare, partive politike shqiptare në Maqedoni”, deklaroi Thaçi. Ai tha se shumë njerëz e krahasojnë gjendjen e shqiptarëve para 37 vjetëve dhe tani.
“Kjo që thuhet tani se është mirë, është rezultat i disa proceseve të natyrshme demokratike të krejt Ballkanit”, u shpreh ai.
Thaçi më tej theksoi se shqiptarët ende nuk kanë siguruar mekanizma të fuqishëm politikë e kushtetues brenda shtetit maqedonas.
“Ne nuk kemi si shqiptarë ndonjë sukses të vërtetë brenda shtetit, të cilin sukses mund ta quajmë Nenin 2 të Kushtetutës, apo e drejta e vetos, apo e drejta e konsistencës politike ku gjithmonë shqiptarët duhet të merren parasysh si faktor shumë i rëndësishëm”, tha Menduh Thaçi.
