Visar Xani i bashkohet ekipit të Vjosa Osmanit

Visar Xani i bashkohet ekipit të Vjosa Osmanit

Ish-presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Visar Xani do të jetë pjesë e ekipit të saj në zgjedhjet e 7 qershorit.

Osmani me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ prezantoi punën e Xanit ndër vite, të cilit ia vlerësoi angazhimin në shërbimin publik ndaj qytetarëve, shkruan Insajderi.

“Visari i përket atij brezi që e njohu Kosovën në lëvizje, në debat, në përpjekjen e saj të vazhdueshme për t’u bërë shtet më i fortë e më i drejtë. Fillimisht si gazetar e analist politik, me syrin kritik ndaj zhvillimeve shoqërore e politike, e më pas brenda vetë institucioneve, aty ku fjala duhet të shndërrohet në përgjegjësi dhe puna në rezultat”, deklaroi Osmani.

“Në organizata ndërkombëtare dhe në administratë publike, Visari ka sjellë qetësinë e njerëzve që e kuptojnë shtetin si një projekt në të cilin duhet të punohet ditë pas dite. Visari ka kontribuar në reforma, në komunikim institucional dhe në formimin profesional të shumë zyrtarëve në Kosovë, në veçanti me rolin e tij si Koordinatori Nacional i RESPA-s për Kosovën”, vijon shkrimi i saj.

“I nderuar Visar, na priftë e mbara në këtë rrugëtim të përbashkët!”, përmbyll Osmani.

Related Articles