Presidenti amerikan, Donald Trump tha se Irani ka “interes për të arritur një marrëveshje” për përfundimin e luftës.
Megjithatë, presidenti amerikan i tha transmetuesit francez BFMTV se është i pasigurt nëse një marrëveshje do të arrihet në një të ardhme të afërt.
“Nuk kam asnjë ide. Nëse nuk e bëjnë, do të kalojnë shumë keq,” tha ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po zhvillojnë përgatitjet më intensive për sulme të reja kundër Iranit që nga armëpushimi i arritur muajin e kaluar, sipas New York Times.
Më herët, Trump publikoi në rrjetin e tij Truth Social një fotografi të gjeneruar me inteligjencë artificiale, duke paralajmëruar “qetësinë para stuhisë”.
Paralajmërimet e fundit të Trump vijnë ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit tha se në Teheran ka “mosbesim” ndaj qëllimeve të SHBA-së.
Abbas Araghchi tha se ekziston ende një “ngërç” për çështjen e “materialit të pasuruar” të Iranit.
“Ne jemi në dyshim për seriozitetin e tyre, por në momentin që ndiejmë se janë seriozë dhe të gatshëm për një marrëveshje të drejtë dhe të balancuar, ne do të vazhdojmë me negociatat,” tha ai.
“Për momentin, kjo nuk është në diskutim dhe nuk është në negociata, por do t’i kthehemi kësaj çështjeje në fazat e mëvonshme.”
