Artistja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, është takuar me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clintonin.
Përmes një postimi në Facebook, Fejza tha se ky takim ishte më shumë se simbolik, duke shtuar se i njëjti ishte një moment falënderimi dhe mirënjohjeje të thellë për gjithçka që presidenti Clinton ka bërë për Kosovën, për vendimin historik, për guximin moral dhe për qëndrimin e palëkundur në anën e së drejtës, në ditët më të errëta të popullit kosovar.
“Pa atë angazhim vendimtar, liria jonë do të kishte një histori tjetër. Një falënderim i veçantë shkon edhe për shqiptarët e Amerikës, shqiptaro-amerikanët, zemra e gjallë e shqiptarizmës, zëri ynë i palëkundur në kohë rreziku dhe shtylla e fuqishme e miqësisë së përhershme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Liria e Kosovës mban edhe emrin e ndërgjegjes amerikane, dhe ky emër do të kujtohet përjetë me mirënjohje dhe nder”, ka shkruar ajo.
