KQZ miraton adresat e kutive postare për votim në 22 shtete

KQZ miraton adresat e kutive postare për votim në 22 shtete

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme mori vendim për miratimin e adresave të kutive postare për votimin me postë nga jashtë Kosovës, i cili do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor.

Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto 22 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, funksionale është edhe kutia postare e përhershme e KQZ-së në Kosovë.

Po ashtu, në kuadër të procesit përgatitor, në këtë mbledhje KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Qëllimi i këtij plani është bashkëpunimi ndërinstitucional për sigurinë e zgjedhjeve, koordinimin me organet e rendit dhe menaxhimin e situatave eventuale.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e programit të trajnimeve dhe kurrikulës së trajnimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ky program do të përfshijë mijëra persona të cilët do të angazhohen në procesin zgjedhor, përfshirë ditën e zgjedhjeve, siç janë: trajnerët; anëtarët e Këshillave të Vendvotimit; anëtarët e ekipeve mobile për votimin e personave me nevoja të veçanta; numëruesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe stafin e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve. Programi i trajnimit ka për qëllim pajisjen me njohuri të stafit që do të angazhohet në zgjedhje për të gjitha procedurat e votimit dhe numërimit në vendvotim; votimin me kusht; votimin e personave me nevoja të veçanta, procedurat e numërimit në QKN; procedurat për paketimin e materialit zgjedhor.

Related Articles