Motra e presidentes së Irlandës, Margaret Connolly, është mes aktivistëve të ndaluar nga forcat izraelite gjatë ndërhyrjes ndaj flotiljes humanitare “Global Sumud”, e cila ishte nisur drejt Gazës me synimin për të thyer bllokadën izraelite.
Sipas mediave irlandeze, të paktën gjashtë shtetas irlandezë ndodheshin në bordin e flotiljes dhe u ndaluan nga ushtria izraelite në ujërat ndërkombëtare, rreth 70 milje detare larg ishullit të Qipros.
Flotilja përbëhej nga më shumë se 50 anije dhe ishte nisur nga Marmaris me 426 pjesëmarrës nga 39 vende të botës. Organizatorët deklaruan se rreth 100 aktivistë janë ndaluar nga autoritetet izraelite gjatë operacionit.
Para ndërhyrjes, aktivistët kishin regjistruar video-mesazhe. Në një prej tyre, Margaret Connolly deklaronte se, nëse videoja publikohej, kjo do të thoshte se ajo ishte “rrëmbyer” nga forcat izraelite dhe se po mbahej në mënyrë të paligjshme.
Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe në Irlandë. Presidentja irlandeze, Catherine Connolly, u shpreh nga Londra se ndihej krenare për motrën e saj, por njëkohësisht shumë e shqetësuar për sigurinë e saj dhe të aktivistëve të tjerë.
“Duket sikur kjo ndodhi në ujërat ndërkombëtare dhe është një arsye për shqetësim, dhe jam shumë krenare për motrën time, por jam e shqetësuar për të,” u shpreh presidentja.
Connolly vuri në dukje se nuk ka folur me të dhe se nuk ka informacione të tjera përveç atyre që janë raportuar deri më tani në media.
Ministria e Jashtme irlandeze konfirmoi se po ndjek nga afër situatën dhe se po bashkëpunon me autoritetet përkatëse për të ofruar ndihmë konsullore për qytetarët e ndaluar.
Kjo është ndër përplasjet më të fundit lidhur me flotiljet humanitare që tentojnë të çajnë bllokadën e vendosur ndaj Gazës prej vitit 2007. Më 29 prill, forcat izraelite kishin ndërhyrë gjithashtu ndaj një tjetër flotiljeje të “Global Sumud” pranë brigjeve të Kretës.
