Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami, gjatë një debati televiziv ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk është distancuar asnjëherë nga metodat dhe kauzat përmes të cilave, sipas tij, erdhi në pushtet.
Behrami ka thënë se VV-ja nuk është shkëputur nga “dhuna politike”, gazi lotsjellës dhe, siç i quajti ai, “tentim-atentatet për kauza të rrejshme”. “Asnjëherë nuk u distancua nga dhuna politike, nga gazi lotsjellës, nga tentim-atentatët për kauza të rrejshme.
Asnjëherë nuk u distancua nga kauzat e rrejshme përmes të cilave erdhi në pushtet”, ka deklaruar Behrami. Sipas tij, shumë nga çështjet për të cilat VV-ja kishte protestuar ndër vite, pas ardhjes në pushtet nuk kanë pësuar ndryshime.
“Sot, për të gjitha ato për të cilat kanë protestuar – asnjë nuk është bërë. Asnjë nuk është zhbërë. I njëjti demarkacion, e njëjta fusnotë, e njëjta pako e Ahtisaarit. Pa bashkim kombëtar”, ka theksuar ai. Në fund të deklarimit të tij, Behrami ka bërë thirrje për mbështetje të PDK-së dhe kandidatëve të saj në zgjedhje.
