Hamza në familjen Thaçi në Mitrovicë – Është koha t’i themi STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën

Hamza në familjen Thaçi në Mitrovicë – Është koha t’i themi STOP krizës dhe ta ndryshojmë Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar takimet me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore, duke theksuar se ndryshimi duhet të vijë nga dëgjimi i drejtpërdrejtë i shqetësimeve të qytetarëve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza bëri të ditur se kësaj radhe është mirëpritur nga familja Thaçi në Mitrovicë, ku ka biseduar për vështirësitë ekonomike dhe sociale me të cilat po përballen shumë familje kosovare.

“Derë më derë, shtëpi më shtëpi, për të dëgjuar nga afër nevojat dhe shqetësimet reale të qytetarëve tanë”, ka shkruar Hamza.

Kryefamiljari Besim Thaçi, profesor i teknologjisë, ka theksuar se situata ekonomike në vend është vështirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit, pasi çmimet janë rritur vazhdimisht, ndërsa pagat kanë mbetur pothuajse të njëjta që nga koha kur, sipas tij, ato ishin rritur nga Hamza në cilësinë e ish-ministrit të Financave.

Hamza ka vlerësuar se Kosova po kalon një krizë të thellë ekonomike dhe sociale gjatë viteve të fundit, duke theksuar se çmimet e larta, pagat e vogla dhe mirëqenia e përkeqësuar janë bërë barrë për shumë qytetarë.

Sipas Hamzës, është jetike që Kosovës t’i jepet një drejtim i ri politik dhe ekonomik, me rritje pagash e pensionesh, ulje të tatimeve, investime të mëdha në ekonomi, shëndetësi e arsim.

“Prandaj është jetike t’i themi STOP krizës dhe, bashkë, ta ndryshojmë Kosovën. Ky është misioni ynë. Ky është zotimi ynë”, ka deklaruar ai.

Related Articles