Presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua të enjten se vendi i tij do ta tërheqë nga Irani uraniumin e pasuruar pavarësisht komenteve nga Teherani se Republika Islamike nuk do ta dorëzojë këtë material.
“Do ta marrim. Nuk na nevojitet, nuk e dëshirojmë. Ndoshta do ta shkatërrojmë, pasi ta marrim, por nuk do t’i lëmë që ta kenë” – tha Trumpi para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Besohet se Irani ka rreth 400 kilogramë të uraniumit të pasuruar, për të cilin Trumpi thotë se është varrosur nën dhe nga sulmet amerikane e izraelite para gati një viti.
Tërheqja e uraniumit është pjesë e objektivit kryesor të Trumpit në luftën e tij kundër Iranit – që Teherani të mos lejohet të zhvillojë armë bërthamore.
Megjithatë, dy burime të larta iraniane i thanë agjencisë “Reuters” se lideri suprem i Iranit ka lëshuar një direktivë në të cilën thuhet se uraniumi i pasuruar afër shkallës së armëve bërthamore nuk duhet të dërgohet jashtë vendit.
