Një postim i Kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i publikuar për të denoncuar gjuhën e urrejtjes, degradoi në një përplasje të ashpër verbale me një qytetar në Facebook, ku nuk munguan ofendimet dhe përfshirja e familjarëve në debat. Situata përfundoi me fshirjen e postimit, ndërsa komentet u bënë virale në rrjetet sociale.
Totaj kishte publikuar një reagim ku akuzonte Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për, siç kishte deklaruar ai, një fushatë dezinformimi dhe linçimi ndaj tij.

Megjithatë, vëmendja kryesore nuk mbeti te përmbajtja e postimit, por te komentet, ku kryetari i Prizrenit u përfshi në replika të drejtpërdrejta me një qytetar.
Gjatë debatit, qytetari e kishte ofenduar Totajn duke e quajtur “xhenaze”.
“Qyr xhenazja, qyre more xhenazen…”, kishte shkruar ai.
Pas këtij komenti, reagoi edhe Totaj, i cili iu kundërpërgjigj me një koment ku përfshiu familjen e qytetarit.
“Nëse fare ki familje, përshëndeti krejt me rend!”, kishte shkruar kryetari i Prizrenit.

Debati vazhdoi me tone të ashpra, ndërsa qytetari ia ktheu sërish kryetarit: “Shaqir Totaj edhe ti tënden, kryetar, shumë përshëndeti, thuaju që i kam për qejfi. Turpi të mbuloft”.
Pas përplasjes verbale, postimi i Totajt u fshi nga Facebook-u, por pamjet e komenteve janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe kanë nxitur reagime të shumta.
