Kryeparlamentarja e Kuvendit të Kosovës, njëkohësisht ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu në vitin 2026 ka hyrë në kredi për blerjen e një banese prej 128 metra katror, në vlerë 128.740 euro, apo 1 mijë euro metri katror. Banesa është blerë në lagjen Arbëria, ku sipas çmimit të tregut për banesat në ndërtim e sipër, rezulton se metri katror sillet së paku rreth 1500 euro.
Haxhiu së bashku me bashkëshortin gjatë vitit 2025 kanë pasur të hyra 39 mijë euro, pa përfshirë meditjet dhe kompensimet e udhëtimit.
Për blerjen e kësaj banese, Haxhiu ka marr kredi 160 mijë euro, për 320 muaj apo 26 vjet, për të cilën do të paguaj në total afër 300 mijë euro. Ndërsa, kësti mujor rezulton të jetë rreth 950 euro.
Haxhiu ka thënë se kredinë 160 mijë euro e ka marrë për blerjen e banesës 128 mijë euro, dhe parapagimin e kredive të mëparshme, me normë të interesit fikse 5.5 përqind.
“Kredi kam aplikuar 160 mijë euro. Interesi i kredisë është fiks 5.5 përqind për krejt periudhën e kredisë, pra nuk ndryshon si dhe llogaritet në borxhin e mbetur”, ka thënë Haxhiu.
Ajo çfarë tjetër është diskutuar prej muajsh, qysh në kohën kur Haxhiu ishte ministre e Drejtësisë, është ndërrimi i shpeshtë i garderobës, për çka është komentuar shumë në publik.
Në lidhje me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka pyetur Haxhiun, nëse ka nënshkruar ndonjë kontratë me ndonjë biznes, apo veshjet i blenë të gjitha, Haxhiu ka zgjedhur viktimizimin gjinor, anipse ajo vet një kohë kishte komentuar veshjet e deputetes Blerta Deliu, për të cilën kishte thënë se Kuvendi i Kosovës është më shumë sfilatë mode, sesa institucioni ku mbrohen interesat e qytetarëve.
“Ndërsa për atë mendoj që është praktike që fokusi i diskutimit publik të zhvendoset nga puna politike te veshja e një gruaje në politikë. Nuk besoj që standardi i njëjtë aplikohet ndaj burrave në politikë. Veshja ime është çështje personale dhe nuk ka lidhje me përgjegjësitë, qëndrimet apo punën time publike. Unë nuk kam as nuk do të kem kurrë marrëveshje me ndonjë biznes”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu gjithashtu ka në bashkëpronësi një banesë, në sipërfaqe prej 82 metra katror, të cilën ka deklaruar se e ka nga shitja/ ndërrimi me tokë në vitin 2007.
Haxhiu ka edhe një tokë prej 6 ari në bashkëpronësi, të trashëguar në vitin 2017.

Veturë Seat të blerë nga shitja e veturës së vjetër, dhe huaja në vlerë 9 mijë e 700 euro. Dhe para të gatshme në bankë 1 mijë e 500 euro të mbetura nga kredia pas shlyerjes së obligimeve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbi 200 mijë euro pasuri patundshmëri të trashëguar.
Përveç shtëpisë, bodrumit, lokalit e oborrit të trashëguar në vitin 2022, në vitin 2025 ai deklaron se gruaja i ka huazuar 36 mijë euro nga motra me qëllim për t’i blerë 7 ari tokë.
Përveç 36 mijë euro huazim, në vitin 2025 rezultojnë një kredi në emër të Sveclës në vlerë 33 mijë e 500 euro si dhe një kredi në emër të bashkëshortes në vlerë 45 mijë euro.
Këto nuk janë kreditë e vetme. Sveçla me bashkëshorte kanë pasur dhe tri kredi të tjera në vitet paraprake, në vlerë 80 mijë euro të cilat i ka shlyer.
I njëjti ka të deklaruara dhe tri biznese në emër të bashkëshortes, e fundit e hapur në vitin 2025 me 50 përqind të aksioneve. Sveçla bashkë me gruan kanë pasur të hyra vjetore nga paga vitin e kaluar mbi 39 mijë euro.
“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të kontaktojë me ministrin Sveçla mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe shkrimeve të redaksisë.
E megjithëse tingëllon i zhytur në kredi, Sveçla bashkë me bashkëshorten kanë afër 3 mijë euro kursime.
Për më shumë ndiqeni emisionin “Kosova vendin e dytë në Evropë për varfëri, por me politikanë të pasur”, në TV dhe plaftormat online të “Betimi për Drejtësi”
