Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, ka zgjedhur udhëheqjen e re me synim fuqizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të derivateve në vend.
Në krye të Shoqatës për pjesën e parë të mandatit është zgjedhur Zekim Istogu, përfaqësues i IP-KOS SH.P.K.
“Udhëheqja e re ka përcaktuar si prioritete kryesore adresimin e sfidave të sektorit të naftës dhe derivateve, avancimin e bashkëpunimit ndërmjet kompanive, përmirësimin e kushteve të të bërit biznes, si dhe fuqizimin e dialogut institucional për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit”, thuhet në njoftim.
Sipas Shoqatës, fokusi do të jetë edhe në mbrojtjen e interesave të bizneseve anëtare, rritjen e standardeve të tregut dhe krijimin e një ambienti më të favorshëm për investime dhe konkurrencë të drejtë.
Në komunikatë theksohet gjithashtu se Oda Ekonomike e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e sektorëve strategjikë dhe forcimin e rolit të komunitetit të biznesit në zhvillimin ekonomik të vendit.
