Inteligjenca britanike: Rreth 500 mijë ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë

Inteligjenca britanike: Rreth 500 mijë ushtarë rusë janë vrarë në Ukrainë

Rreth 500.000 ushtarë rusë besohet se janë vrarë gjatë pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska, që nisi më 2022, tha një zyrtare e lartë e inteligjencës britanike, në kohën kur luftimet kanë arritur pothuajse në ngërç.

Shifra u bë publike më 27 maj, gjatë një fjalimi të Anne Keast-Butler, drejtoreshës së GCHQ-së, agjencisë kryesore britanike për inteligjencën dhe sigurinë kibernetike. Ajo përputhet me vlerësime të tjera të bëra muajt e fundit nga qeveri perëndimore dhe organizata të pavarura mediatike.

Keast-Butler përsëriti paralajmërimet e tjera të Qeverisë britanike se Rusia po “shënjestron pareshtur infrastrukturën kritike, proceset demokratike, zinxhirët e furnizimit dhe besimin publik” në Britani dhe në mbarë Evropën.

GCHQ është njësia kryesore britanike për inteligjencë, e ngjashme me Agjencinë Kombëtare të Sigurisë në Shtetet e Bashkuara.

Keast-Butler tha se GCHQ po përqendrohet në mbrojtjen e kabllove dhe tubacioneve nënujore që lidhin Britaninë me pjesën tjetër të botës, si dhe në luftimin e “sabotazheve dhe përpjekjeve për atentate”.

Ajo shtoi se autoritetet po përpiqen të pengojnë përpjekjet ruse për të kontrabanduar teknologji perëndimore, duke anashkaluar sanksionet e vendosura nga Perëndimi si përgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

“Ndërsa mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Ukrainën, [presidenti rus, Vladimir] Putini po zmbrapset në fushëbetejë, me informacione të reja të inteligjencës që tregojnë se pothuajse gjysmë milioni ushtarë rusë janë vrarë që nga fillimi i konfliktit”, tha ajo.

Kjo shifër është e ngjashme me vlerësime të tjera publike, të cilat kanë nxjerrë në pah përmasat e dëmeve që ushtria ruse ka pësuar në Ukrainë që nga nisja e pushtimit.

Në raportin vjetor të publikuar muajin e kaluar, agjencia kryesore e inteligjencës ushtarake të Holandës vlerësoi se Rusia ka pësuar 1.2 milion humbje, përfshirë më shumë se 500.000 të vrarë.

Një bilanc i përbashkët i mediave ruse në ekzil, Mediazona dhe Meduza, i bazuar në dokumentet e çështjeve të trashëgimisë, vlerësoi se numri i ushtarëve rusë të vrarë që nga viti 2022 është të paktën 352.000.

Related Articles