Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se nga dje ka filluar pastrimi i rrëshqitjeve të dheut në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin Suharekë–Prizren.
Basha largoi fajin nga Ministria dhe tha se vonesat u shkaktuan nga Organ Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).
“Ministria jonë e ka hartuar projektin për sanimin e skarpateve dhe kontrata është dhënë më 10 prill 2026. Megjithatë, për shkak të ankesave, ky projekt po mbahet në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), përtej çdo afati të arsyeshëm. Sikur OShP-ja të ishte më efikase dhe të mos kishte zvarritje të panevojshme, sot projekti i sanimit do të ishte duke u realizuar, ndërsa qytetarët nuk do të përballeshin me dhe e rrëshqitje në rrugë”.
Basha shtoi se autoudha po pastrohet nga rrëshqitjet e dheut dhe qytetarët i falënderoi “për mirëkuptimin dhe durimin e treguar për këto vonesa të shkaktuara, pa fajin tonë”.
“Siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë kryesor dhe nuk do të ndalemi së intervenuari aty ku ka rrezik për qarkullimin dhe jetën e tyre”.
