Emërohen rreth 14 mijë anëtarë për vendvotimet në Kosovë dhe përfaqësitë diplomatike

Emërohen rreth 14 mijë anëtarë për vendvotimet në Kosovë dhe përfaqësitë diplomatike

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për emërimin e mijëra anëtarëve të trupave zgjedhore që do të angazhohen në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 6 dhe 7 qershor 2026, brenda dhe jashtë vendit.

Në vazhdim të mbledhjes së 59-të, KQZ thotë se fillimisht mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve të rregullta dhe me kusht, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve më 7 qershor.

Sipas vendimit, në 2,498 vendvotime të rregullta në 911 qendra votimi do të angazhohen 12,678 anëtarë, prej të cilëve 1,043 janë anëtarë rezervë.

 KQZ bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme pritet të emërohen edhe rreth 700 anëtarë shtesë për vendvotime në komuna të ndryshme të vendit.

Ndërkaq, në 52 vendvotime për votimin me kusht, të shpërndara në 38 qendra votimi, do të angazhohen 192 anëtarë.

Sipas KQZ-së, anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve përfaqësojnë subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe do të jenë përgjegjës për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor në vendvotime.

Po ashtu, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike, ku procesi i votimit do të zhvillohet më 6 qershor 2026.

Në 47 vendvotime që do të hapen në kuadër të 30 përfaqësive diplomatike -17 ambasada dhe 13 konsullata – të vendosura në 18 shtete të ndryshme, do të angazhohen rreth 200 anëtarë që përfaqësojnë subjekte të ndryshme politike.

Lidhur me votimin jashtë vendit, KQZ gjithashtu mori vendim për emërimin e menaxherëve, zyrtarëve për asistim dhe stafit rezervë në qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike, si dhe autorizimin e zyrtarëve për tërheqjen e dërgesave postare që lidhen me votimin përmes postës.

Related Articles