Një ekip i Radiotelevizionit Dukagjini, i përbërë nga gazetarja Blerta Zuka dhe kameramani Enkelej Shaljani, është sulmuar gjatë ushtrimit të detyrës.
Rasti raportohet të ketë ndodhur të enjten, më 25.06.2026 në Gjilan.
Drejtori i Informacionit në RTV Dukagjini, Dibran Istrefi, ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur teksa ekipi ishte duke realizuar një kronikë për punimet që po zhvillohen në sheshin e qytetit.
Në reagimin e tij theksohet se sulmi dyshohet të jetë kryer nga një punonjës i kompanisë që është e angazhuar në punimet në atë zonë.
Istrefi e ka dënuar këtë akt, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe të shëmtuar.
“Një gjë e tillë është papranueshme dhe në thelb e shëmtuar”- ka shkruar Istrefi në rrjete sociale.
Për këtë rast, der më tani nuk ka reaguar ende Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Edhe nga televizioni kanë reaguar për sulmin ndaj ekipit të tyre.
RTV Dukagjini e ka cilësuar sulmin si cenim të drejtëpërdrejtë të lirisë së medias dhe gazetarëve.
“TV Dukagjini kërkon nga organet kompetente që ta trajtojnë rastin me seriozitet të plotë, të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe të sigurojnë që përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”- thuhet në reagimin e televizionit.
